Pyetje të shpeshta

Pyetje-të-shpeshta

Kjo rubrikë synon t’i japë përgjigje disa prej pyetjeve më të shpeshta që mund t’i lindin çdokujt që hulumton në këtë portal apo që mund të hasen gjatë zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Pyetjet janë të natyrës përmbajtësore (si psh., çfarë kuptojmë me informacion publik), proceduriale (ku dhe si duhet paraqitur kërkesa për informim) apo dhe institucionale (autoritetet përgjegjës për zbatimin e të drejtës së informimit).

Duke lexuar përgjigjet për secilën prej tyre, ju mund të kuptoni lehtësisht se si ta shfrytëzoni në interesin tuaj ligjin “Për të drejtën e informimit” dhe si të orientoheni në lidhje me procedurat institucionale të marrjes së informacionit publik apo të ankimit në rast të refuzimit të tij.

Megjithatë, në rast se ju hasni pyetje të tjera apo çështje komplekse që nuk gjejnë përgjigje në këtë seksion mund të na kontaktoni drejtpërdrejtë në adresat e mëposhtme.

Parimet kryesore

Çdo qytetar ka të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet, arsyet e kërkimit të informacionit.

Çdo qytetar ka të drejtë të njihet me informacionin publik, nëpërmjet dokumentit origjinal ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që mundëson akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.

Informacioni publik që i është dhënë një personi, nuk mund t’i refuzohet asnjë personi tjetër që e kërkon atë me përjashtim të rastit kur informacioni përmban të dhëna personale të subjektit kërkues.

Çfarë konsiderohet informacion publik?

Informacion publik është çdo e dhënë e rregjistruar nga institucionet publike në çfarëdo lloj forme e formati, gjatë ushtrimit të funksionit publik, pavarësisht se kush ka qenë autoriteti që e ka përpiluar atë.

Kush janë subjektet përgjegjës për të dhënë informacion?

Subjektet përgjegjës për të dhënë informacion në zbatim të ligjit “Për të drejtën e informimit”, e në këtë kuptim ndaj të cilëve mund të adresohet një kërkesë për informacion janë autoritetet e mëposhtme publike:

a) Është çdo organ administrativ, organi ligjvënës (Parlamenti), organet gjyqësore dhe ato të prokurorisë së çdo niveli, organet e njësive të qeverisjes vendore të çdo niveli, organet shtetërore dhe entet publike;
b) Janë shoqëritë tregtare ku:
i) shteti zotëron shumicën e aksioneve
ii) ushtrohen funksione publike
c) Çdo person fizik ose juridik që me ligj ose akt nënligjor ka të drejtën të ushtrojë funksione publike.

Kush ka të drejë të bëjë një kërkesë për informim?

Të drejtën të adresojë një kërkesë për njohjen me informacionin publik e gëzon çdo person fizik apo juridik, vendas apo i huaj si dhe personat pa shtetësi.

Si bëhet kërkesa për informim ?

Kërkesa për informim bëhet me shkrim dhe dërgohet me e-mail, postë ose dorazi, duke paraqitur saktë identitetin e kërkuesit dhe nënshkrimin e tij.

Kërkesa për informim duhet të përmbajë:
– emrin dhe mbiemrin e kërkuesit;
– adresën postare ose elektronike ku kërkohet të dërgohet informacioni;
– përshkrimin e informacionit që kërkohet;
– formatin në të cilin preferohet informacioni (kopje e printuar, elektronike apo ndonjë format tjetër);
– çdo të dhënë që kërkuesi gjykon se mund të ndihmojë në identifikimin e informacionit të kërkuar.

Një format të thjeshtë të kërkesës për informim mund ta gjeni këtu.

Në çdo rast kërkesa për informim duhet të rregjistrohet në një dokument të titulluar “Rregjistri i Kërkesave dhe Përgjigjeve”. Numri i portokollit të kërkesës së rregjistruar së bashku me të dhënat e kontaktit të koordinatorit për të drejtën e informimit duhet t’i jepen kërkuesit.

Si dhe ku mund të ankohemi në rast të refuzimit të kërkesës për informim?

Në rast se ju çmoni se ju janë shkelur të drejtat për të marrë informacion (nuk ju është kthyer përgjigje ose përgjigjia e kthyer nuk është e plotë) keni të drejtë të ankoheni në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Një format të thjeshtë të ankesës pranë Komisionerit e gjeni këtu.

Ankimi administrativ pranë Komisionerit bëhet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:
– ju nuk keni marrë njoftim për refuzimin e informacionit;
– ka kaluar afati ligjor për dhënien e informacionit të kërkuar.

Cila është procedura e ankimit?

Ju duhet të paraqisni pranë Komisionerit ankimin për shkelje të së drejtës së informimit. Ankimi mund të dërgohet me e-mail në adresën info@idp.al, dorazi ose me postë në adresën: Rruga e Kavajës Nd.80, H.1, Tiranë.

Me marrjen e ankesës, Komisioneri verifikon faktet dhe ku është mbështetur (bazën ligjore) të ankesës tuaj.

Për këtë qëllim, Komisioneri mund t’ju kërkojë juve (në cilësinë e ankuesit) dhe autoritetit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, të paraqesin parashtrime të tjera me shkrim, si dhe të informohet nga çdo person dhe burim tjetër.

Kur e sheh të nevojshme, Komisioneri mund të zhvillojë një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen tuaj si palë ankuese dhe të institucionit ndaj të cilit është bërë ankesa.

Cili është afati për trajtimin e ankesës suaj nga ana e Komisionerit?

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet të marrë vendim për ankesën tuaj brenda 15 ditëve pune nga dita kur është dorëzuar ankimi.

Çfarë vendos Komisioneri në lidhje me ankesën tuaj për refuzim të kërkesës për informim?

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale pas vlerësimit të ankesës tuaj për refuzim të së drejtës për të marrë informacion publik mund të vendosë:

a) pranimin e ankesës tuaj dhe urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme brenda një afati të caktuar.

Në rast se autoriteti nuk jep sërish informacion brenda afatit të caktuar nga Komisioneri, ky i fundit ka të drejtë të përcaktojë përgjegjësinë direkte dhe gjobën për tituallin e autoritetit publik, koordinatorin e të drejtës së informimit apo çdo nëpunës të autoritetit, i cili ka penguar plotësimin e kërkesës tuaj.

b) mospranimin e ankesës kur:
i) ka kaluar afati i caktuar ligjor për paraqitjen e ankesës;
ii) ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;
iii) nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit.

c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht.

Afatet e dhënies së informacionit

Kërkesa për informim trajtohet nga ana e autoritetit publik sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj, përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe.

• Kur kërkesa është e paqartë në lidhje me përmbajtjen dhe natyrën e saj, autoriteti publik kontakton menjëherë personin (kërkuesin) për të bërë sqarimet e nevojshme, por gjithnjë jo më vonë se 48 orë nga data e paraqitjes së kërkesës.

• Në qoftë se pas shqyrtimit të kërkesës, autoriteti publik konstaton se nuk e zotëron informacionin e kërkuar, ai, jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës, ia dërgon atë autoritetit kompetent, duke e vënë në dijeni edhe kërkuesin. Autoriteti i dytë kthen përgjigje jo më vonë se 15 ditë pune nga dita e mbërritjes së kërkesës në autoritetin e parë.

• Kërkesat për informacione të dhëna më parë e të rregjistruara në Rregjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve plotësohen jo më vonë se 3 ditë pune nga momenti i paraqitjes së kërkesës.

• Në çdo rast, vendimi për refuzim të kërkesës për informacion duhet të jepet me shkrim dhe i arsyetuar.

A mund të zgjaten afatet e dhënies së informacionit? Nëse po, kur?

Po, afatet për dhënien e informacionit mund të zgjaten me jo më vonë se 5 ditë pune për një nga shkaqet e mëposhtme:

a) nevoja për të kërkuar dhe shqyrtuar dokumenta të shumta e voluminoz;
b) nevoja për të shtrirë kërkimet në zyra apo ambjente të tjera që janë të ndara fizikisht nga zyra qendrore autoritetit;
c) nevoja për të konsultuar me autoritete të tjera publike përpara marrjes së një vendimi për plotësimin ose jo të kërkesës

Në çdo rast vendimi për zgjatjen e afatit i njoftohet menjëherë kërkuesit.

A duhet të paguajmë për të marrë informacion?

• Shërbimet e administratës publike janë pa pagesë. Në këtë kuptim, parimisht e drejta për të marrë informacion ofrohet pa pagesë. Por ka raste kur dhënia e informacionit mund të bëhet përkundrejt një tarife, të përcaktuar më parë dhe të bërë publike nga autoriteti publik në faqen e tij të internetit dhe në mjediset e pritjes së publikut.

• Tarifa e vendosur për dhënien e informacionit është vetëm kosto për riprodhimin e tij dhe sipas rastit dhe për dërgimin e tij me postë. Informacioni i dërguar në rrugë elektronike jepet falas.

• Qytetarët e regjistruar rregullisht në skemat e ndihmës shoqërore, si dhe subjektet përfitues të ligjit “Për ndihmën juridike” e përfitojnë falas informacionin deri në një numër të caktuar faqesh për çdo kërkesë ose në vlerën ekuivalente kur informacioni jepet në një format tjetër.

Çfarë quhet Program Transparence?

Program transparence është dokumenti që përmbledh tërësinë e informacioneve që duhet të jepen në mënyrë aktive nga autoritetet publike pa kërkesë.

Programet e transparencës duhet të jenë krijuar në çdo autoritet publik që pas datës 6 maj 2015 dhe duhet të jenë publikuar në faqet e tyre të internetit.

Këto programe duhet të përmbajnë të dhënat e mëposhtme:
a) një përshkrim të strukturës organizative, funksioneve dhe detyrave të autoritetit publik;
b) tekstet e plota të konventave të ratifikuara, të ligjeve, të akteve nënligjore, të kodeve të sjelljes, të çdo dokumenti politikash, të manualit ose ndonjë dokument tjetër që ka lidhje me ushtrimin e funksioneve të autoritetit publik;
c) informacion për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe procedurat e ankimit të vendimit përkatës;
d) të dhëna për vendndodhjen e zyrave të autoritetit publik, orarin e punës, emrin dhe kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit;
e) të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për të marrë vendime;
f) mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, përfshirë planet strategjike të punës, raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera, si dhe dokumentet që përmbajnë tregues të performancës së autoritetit;
g) të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitet e kaluara, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit.
h) informacion për procedurat e prokurimit apo procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat, përkatësisht, sipas parashikimeve të ligjore në fushë, duke përfshirë:
i) listën e kontratave të lidhura;
ii) shumën e kontraktuar;
iii) palët kontraktuese dhe përshkrimin e shërbimeve apo mallrave të kontraktuara;
iv) informacionin për zbatimin dhe monitorimin e kontratave, si dhe udhëzues e politika të ndryshme;
j) informacion për shërbimet që autoriteti publik i jep publikut, përfshirë standardet për cilësinë e shërbimit;
k) çdo mekanizëm dhe procedurë për bërjen e kërkesave dhe ankesave, në lidhje me veprimet ose mosveprimet e autoritetit publik;
l) çdo mekanizëm apo procedurë, përmes së cilës personat e interesuar mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ndikojnë në çfarëdo mënyrë tjetër në hartimin e ligjeve, të politikave publike apo ushtrimin e funksioneve të autoritetit publik;
m) një përshkrim të thjeshtë të sistemit që përdor autoriteti publik për mbajtjen e dokumentacionit, të llojeve, formave të dokumenteve, si dhe të kategorive të informacionit që bëhet publik pa kërkesë;
n) një kopje të përditësuar të Rregjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve;
o) një përshkrim të kategorive dhe formave të ndihmës shoqërore, subvencioneve të dhëna nga autoriteti publik dhe të procedurave për t’i përfituar ato;
p) informacione dhe dokumente që kërkohen shpesh;
q) çdo informacion tjetër që gjykohet i dobishëm nga autoriteti publik.

Kush quhet Koordinator i të Drejtës së Informimit dhe çfarë funksioni kryen ai?

Çdo autoritet publik cakton një prej nëpunësve të tij Koordinator të së Drejtës së Informimit me qëllim që të bashkërendojë punën brenda institucionit për zbatimin e ligjit “Për të drejtën e informimit”. Koordinatori i të drejtës së informimit është nëpunësi i specializuar në institucion që merret me trajtimin dhe kthimin e përgjigjeve të kërkesave për informim brenda afateve të caktuara ligjore.

Kompetencat kryesore që ushtron Koordinatori janë:

a) i mundëson çdo kërkuesi të drejtën për t’u njohur me informacionin publik, përmes konsultimit me dokumentin origjinal ose duke marrë një kopje të tij;
b) krijon, mban, publikon dhe përditëson Rregjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve çdo 3 muaj;
c) bashkërendon punën për plotësimin e kërkesave për informacione brenda afateve dhe sipas mënyrës së parashikuar në ligjin “Për të drejtën e informimit”;
ç) regjistron kërkesat për informacion dhe cakton një numër rendor për secilën prej tyre;
d) dërgon kërkesën për informim tek një autoritet tjetër publik, jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës, kur rezulton se autoriteti publik ku është depozituar kërkesa nuk e zotëron informacionin e kërkuar;
dh) verifikon rastet për dhënien falas të informacionit qytetarëve të rregjistruar në skemat e ndihmës shoqërore, si dhe subjektet përfitues të ligjit “Për ndihmën juridike”;
e) kryen njoftimet paraprake për sqarimin e kërkesës për informim, si dhe komunikon me kërkuesin, sipas nevojës për trajtimin e kërkesës së tij.

A mund të kufizohet e drejta për informim?

Po, e drejta për informim mund të kufizohet vetëm sipas rasteve të parashikuara në nenin 17 të Ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”. E drejta për informim mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, propocionale dhe në rast së dëmton një nga interesat e mëposhtëm:
– Të drejtën për një jetë private
– Sekretin tregtar
– Të drejtën e autorit
– Patentat.

Krahas këtyre interesave, e drejta për informim mund të kufizohet gjithashtu në rast se është e domosdoshme, propocionale dhe dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj:
– sigurisë kombëtare;
– parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së veprave penale;
– mbarëvajtjes së hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor;
– mbarëvajtjes së procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike;
– formulimit të politikave monetare dhe fiskale të shtetit;
– barazisë së palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjes së procesit gjyqësor;
– këshillimit dhe diskutimit paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike;
– mbarëvajtjes së marrëdhënieve ndërkombëtare ose ndërqeveritare.

A ka sanksione ndaj zyrtarëve për refuzim (mosdhënie) të informacionit të kërkuar?

Po, ligji parashikon përgjegjësi direkte ndaj zyrtarëve që refuzojnë të japin informacionin e kërkuar. Është Komisioneri i të Drejtës së Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale institucioni përgjegjës për trajtimin dhe verifikimin e ankesave për shkelje të së drejtës së informimit.

Në rast të verifikimit nga Komisioneri të shkeljes së të drejtës për informim aplikohen gjoba të drejtpërdrejta ndaj titullarit të institucionit, koordinatorit të së drejtës së informimit apo për çdo nëpunës përgjegjës për mosdhënie informacioni.

Në varësi të shkeljes së verifikuar nga Komisioneri, gjobat për Koordinatorin variojnë:
– 150 000 deri në 300 000 lekë në rast se refuzohet dhënia e informacionit;
– 150 000 deri në 300 000 lekë në rast të mosplotësimit të kërkesave për informacion brenda afatit të caktuar ligjor;
– 50 000 deri në 100 000 lekë në rast të moskrijimit, mosmbajtjes, mospublikimit apo mospërditësimit të Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve;
– 150 000 deri në 300 000 lekë për mosdërgim të kërkesës për informim tek një autoritet tjetër publik brenda afatit të caktuar ligjor.
Çdo nëpunës i autoritetit publik ka përgjegjësi administrative:
– për dëmtim ose shkatërrim të dokumenteve zyrtare, me qëllim shmangien e së drejtës për informim. Kjo shkelje dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë;
– për moszbardhje të dokumenteve zyrtare, në kundërshtim me rregullat në fuqi, me qëllim pengimin e ushtrimit të së drejtës për informim. Ky veprim dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë.

Ndaj Titullarit të institucionit parashikohen sanksionet e mëposhtme:
– mosvënia në zbatim e Programit institucional të transparencës dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë
– mosrishikimi i Programit institucional të transparencës, brenda afatit të parashikuar dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë;
– mosndjekja e procedurave për rishikimin e programit institucional të transparencës dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë.

Çfarë garanton ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit”?

Ky ligj garanton aksesin e qytetarëve në veprimtarinë e institucioneve publike duke ndihmuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së tyre ndaj opinionit publik. E drejta për t’u njohur me informacionin publik nuk është e kushtëzuar nga nevoja për të argumentuar arsyen e njohjes së tij. Ligji detyron të gjithë autoritetet shtetërore të bëjnë publike dhe të vënë në dispozicion të qytetarëve (në mënyrë proaktive pa kërkesë ose me kërkesë të qytetarëve/subjekteve të interesuar) çdo të dhënë, informacion të hartuar apo të mbajtur prej tyre gjatë ushtrimit të funksioneve publike.

Pse qytetarët duhet ta përdorin ligjin “Për të drejtën e informimit”?

Ky ligj ofron disa avantazhe konkrete dhe praktike që favorizojnë çdo qytetar për të marrë informacion. Avantazhet kryesore janë:

Procedurë e thjeshtuar e marrjes së informacionit përmes një kërkese me shkrim, e cila dërgohet me e-mail, postë ose dorazi Koordinatorit të së drejtës së informimit;

Shkurtim të afateve të marrjes së informacionit (deri në 10 ditë pune);

Emërim të koordinatorëve të së drejtës së informimit, nëpunësve publik të specializuar të cilët caktohen në çdo institucion për trajtimin dhe kthimin e përgjigjeve të kërkesave për informim brenda afateve të caktuara ligjore;

Shtimin e numrit të institucioneve ndaj të cilëve çdo qytetar ka të drejtën e aksesit në informacionduke përfshirë gjykatat, prokuroritë, pushtetin qendror dhe vendor, apo gjithashtu dhe ato kompani ku shteti zotëron shumicën e aksioneve dhe çdo person fizik ose juridik, që ushtron funksione publike në fusha të tilla si: arsimi, shëndetësia, energjia, telekomunikacioni e të tjera si këto;

Detyrimin për hartimin dhe publikimin e Programeve të Transparencës nga ana e secilit autoritet publik, program ky i cili parimisht duhet të përmbajë pjesën më të madhe të informacionit që disponon autoriteti e që duhet bërë transparent pa kërkesë të qytetarëve apo grupeve të interesit;

Mekanizëm efektiv ankimi në rast të refuzimit të dhënies së informacionit tek Komisioneri i të Drejtës së Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale;

Garanci reale që zyrtari, i cili refuzon informacionin qoftë ky koordinatori i drejtës së informimit apo drejtues institucioni do të ndëshkohet personalisht më gjobë individuale.

Cilat janë kompetencat e IDP dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ?

Në fushën e së drejtës së informimit, Komisioneri ushtron këto kompetenca:

a) shqyrton kërkesat e qytetarëve, të cilët pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre;
b) shqyrton ankesat e qytetarëve në lidhje me Programet e Transparencës të autoriteteve publike;
c) kryen hetime të nevojshme administrative;
ç) ka akses në informacionin dhe dokumentet, objekt ankimi, duke përfshirë dhe informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror”;
d) vendos sanksione administrative sipas parashikimeve ligjore;
dh) nxit parimin e transparencës në punën e autoriteteve publike, veçanërisht duke sensibilizuar dhe informuar për çështje të së drejtës së informimit;
e) monitoron zbatimin e ligjit “Për të drejtën e informimit”;
ë) kryen sondazhe në lidhje me çështje të ndryshme;
f) bën rekomandime për autoritetet publike, lidhur me konceptimin dhe zbatimin e Programeve të Transparencës
g) me kërkesë të gjykatës që shqyrton çështjen, parashtron mendim me shkrim për çfarëdolloj çështje që lidhet me këtë të drejtë.

Më shumë

    Kërko asistencë


© Copyright 2015, All Right Reserved
Portali Pyet Shtetin është mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros
Mundësuar nga DM Consulting
[responsive-menu menu="menu"]